
Prof. Dr. Luan Karçanaj është Rektor i Kolegjit Profesional të Tiranës. Ai njihet për një karrierë të gjatë dhe shumë të suksesshme akademike.
Studimet e larta i ndoqi në Universitetin Teknik të Dresden-it dhe Universitetin Politeknik të Tiranës, Dega Elektronikë.
Ka filluar punë si asistent pedagog në Universitetin Politeknik të Tiranës në vitin 1965. Ka përfituar gradën Phd në vitin 1982, Docent në vitin 1987 dhe Profesor në vitin 1994.
Gjatë jetës së tij Prof. Karçanaj ka kryer specializime në një numër të madh institucionesh ndërkombëtare.
Këto specializime janë kryer në fushat e mëposhtme:
- Projektimit të aparaturave elektronike bërthamore, në Institutin e Energjisë Atomike në Pekin, Kinë.
- Mikroelektronikës, në Qendrën e Kërkimeve Bërthamore Seibersdorf, Vienë Austri.
- Instrumentimit bërthamor dhe informatikës së aplikuar, në CERN, Gjenevë, Zvicër.
- Projektimit të sistemeve elektrike duke përdorur elemente logjike të programueshme, CPLD dhe FPGA në DESY (Deutsches Elektrones Synchrotron), Hamburg, Gjermani.
- Përpunimit on-line të të dhënave; përpunimi i figurave (imazheve) të nxjerra nga rrezatimi X, Gama dhe neutronic, në Laboratorët e IAEA-së, Seibersdorf, Vienë Austri.
- Gamma Spektometri pranë Qendrës bërthamore, Universiteti i Këlnit, Gjermani.
Prof. Dr. Luan Karçanaj ka qenë profesor pranë Institutit të Fizikës Bërthamore Tiranës për një periudhë 34 vjeçare , Përgjegjës i Departamentit të Teknologjive, Përgjegjës i Departamentit të Radiokimisë dhe Elektronikës.
Karrierës së tij akademike i shtohen edhe shumë artikuj shkencorë si dhe pjesëmarrje në konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare.