Quick Links
Në emër të Kolegjit Profesional të Tiranës dëshiroj t’ju uroj mirëseardhjen! Prej vitesh tashmë, Kolegji Profesional i Tiranës përgatit profesionistë me aftësi praktike, teknikë të lartë, zbatues projektesh, aq të nevojshëm për ekonominë e vendit. Kolegji nuk lindi në boshllëk, por për të plotësuar një boshllëk në tregun arsimor të punës, të cilit i mungonin profesionistë të aftë në mjaft fusha të natyrës profesionale.
Memorandumi i bashkëpunimit mes Kolegjit dhe Universitetit Europian të Tiranës, ka sjellë një partneritet të ngushtë mes dy institucioneve tona, edhe më shumë cilësi në mësimdhënie dhe pasurimin e ofertës akademike për të kontribuar në shoqërinë dhe ekonomi.
Është kënaqësi dhe krenari të them që Kolegji ka ecur vrullshëm përpara duke i kushtuar vëmendje tri komponentëve kryesorë të një institucioni të arsimit të lartë:
Së pari, programeve të studimit që ofron Kolegji Profesional i Tiranës, të cilat nuk janë një zgjedhje rastësore. Përkundrazi janë programe studimi, tashmë të akredituara, me kurrikul të orientuar nga tregu arsimor i punës dhe nevojat e këtij tregu për profesionistë me nivelin e duhur teorik dhe aftësi të mira praktike. Me një portofol të pasur akademik, KPT është vendi i duhur për të gjithë ata që janë në kërkim të profesionit të vërtetë.
Së dyti, stafit akademik – një kombinim brezash me përvoja të shquara akademike dhe profesionistësh të rinj të orientuar drejt praktikës, të cilët me metodologjitë moderne të mësimdhënies, veprimtarinë ndëraktive në zhvillimin e punëve laboratorike dhe të praktikave në terren si dhe këshillimin akademik, drejtojnë udhën tuaj drejt profesionit të vërtetë.
Së treti, ngritjes së një infrastrukture moderne, tashmë në dispozicion dhe pasurimit në vazhdimësi të saj: mjedise akademike me të gjitha mjetet moderne të mësimdhënies dhe mjedise zbatuese praktike si laboratorë dhe ofiçina, ku studentët i kanë të gjitha lehtësirat e nevojshme në përvetësimin dhe konsolidimin e njohurive teorike dhe zbatimin e tyre në praktikë.
Këto tri elementë, të ndërthurura në bashkëpunimin me biznesin dhe industrinë, janë kombinimi i duhur për një proces akademik sa më cilësor dhe për një sistem efikas edukimi, i aftë të ndjekë dhe të përballojë ndryshimet e shpejta teknologjike, që dikton koha.
Ndaj, Ju mirëpresim në Kolegjin Profesional të Tiranës!
Nuk ka kohë për të humbur! Eja! “Ndërto botën tënde!”
Prof. Dr. Luan Karçanaj
Rektor i Kolegjit Profesional të Tiranës