Fjala e Rektorit

Në emër të Kolegjit Profesional të Tiranës dëshiroj t’ju uroj mirëseardhjen!

Prej vitesh tashmë, Kolegji Profesional i Tiranës përgatit profesionistë me aftësi praktike, teknikë të lartë, zbatues projektesh, aq të nevojshëm për ekonominë e vendit. Kolegji nuk lindi në boshllëk, por për të plotësuar një boshllëk në tregun arsimor të punës, të cilit i mungonin profesionistë të aftë në mjaft fusha të natyrës profesionale.

Memorandumi i bashkëpunimit mes Kolegjit dhe Universitetit Europian të Tiranës i një viti më parë, ka sjellë një partneritet të ngushtë mes dy institucioneve tona, edhe më shumë cilësi në mësimdhënie dhe pasurimin e ofertës akademike për të kontribuar në shoqërinë dhe ekonomi.

Është kënaqësi dhe krenari të them që Kolegji ka ecur vrullshëm përpara duke i kushtuar vëmendje tri komponentëve kryesorë të një institucioni të arsimit të lartë:

  • Së pari, programeve të studimit që ofron Kolegji Profesional i Tiranës, të cilat nuk janë një zgjedhje rastësore. Përkundrazi janë programe studimi, tashmë të akredituara, me kurrikul të orientuar nga tregu arsimor i punës dhe nevojat e këtij tregu për profesionistë me nivelin e duhur teorik dhe aftësi të mira praktike. Me një portofol të pasur akademik, KPT është vendi i duhur për të gjithë ata që janë në kërkim të profesionit të vërtetë.

 

  • Së dyti, stafit akademik – një kombinim brezash me përvoja të shquara akademike dhe profesionistësh të rinj të orientuar drejt praktikës, të cilët me metodologjitë moderne të mësimdhënies, veprimtarinë ndëraktive në zhvillimin e punëve laboratorike dhe të praktikave në terren si dhe këshillimin akademik, drejtojnë udhën tuaj drejt profesionit të vërtetë.

 

  • Së treti, ngritjes së një infrastrukture moderne, tashmë në dispozicion dhe pasurimit në vazhdimësi të saj: mjedise akademike me të gjitha mjetet moderne të mësimdhënies dhe mjedise zbatuese praktike si laboratorë dhe ofiçina, ku studentët i kanë të gjitha lehtësirat e nevojshme në përvetësimin dhe konsolidimin e njohurive teorike dhe zbatimin e tyre në praktikë.

 

Këto tri elementë, të ndërthurura në bashkëpunimin me biznesin dhe industrinë, janë kombinimi i duhur për një proces akademik sa më cilësor dhe për një sistem efikas edukimi, i aftë të ndjekë dhe të përballojë ndryshimet e shpejta teknologjike, që dikton koha.

 

Ndaj, Ju mirëpresim në Kolegjin Profesional të Tiranës!

 

Nuk ka kohë për të humbur! Eja! “Ndërto botën tënde!”

Prof. Dr. Luan Karçanaj

Rektor