Meso Online

MESO ONLINE

Të dashur studentë të Kolegjit Profesional të Tiranës,

Së pari dhe më e rëndesishmja, urojmë dhe besojmë që çdo gjë të jetë mirë për Ju dhe familjet tuaja! Vetëm duke marrë masat e nevojshme dhe duke zbatuar rregullat, do të arrijmë ta kalojmë këtë situatë të vështirë.

Ashtu siç jeni informuar, MASR vendosi të shtyjë rifillimin e procesit mësimor dhe hapjen e shkollave deri në përfundim të Pandemisë Covid 19.

Në këto kushte, KPT synon që të jetë sa më pranë studentëve të tij. Mësimi online është një sfidë për të gjithë, por së bashku do tja dalim më së miri, duke pasur në fokus mësimin! Synimi i Kolegjit Profesional të Tiranës është të ofrojë profesionistë të kualifikuar me aftësi praktike. Mbështetja e studentëve gjatë procesit akademik është ndër prioritetet e KPT.

Në këtë seksion do të gjeni disa udhëzime dhe këshilla të thjeshta për t’ju ndihmuar të përdorni sa më mirë këtë mënyrë inovative të mësimdhënies.

Përgatitja për mësimin online

Sigurohuni që keni akses në platformën Microsoft Teams dhe lidhje në internet.

Microsoft Teams mund të shkarkohet si software Desktop ose version mobile në App Store ose Play Store.
Platforma TEAMS mund të aksesohet vetëm me anë të adresës elektronike që ofron KPT.
Studentët të cilët nuk janë pajisur ende me adresat elektronike që ofron KPT, janë të lutur të kontaktojnë me koordinatoren mësimore (megi.guzja@kpt.edu.al; norda.kocaqi@kpt.edu.al) ose Zyrën e IT (it@kpt.edu.al) në mënyrë që të pajisen me kredencialet përkatëse.
Sugjerojmë që aksesi në platformë dhe në mësimin online të bëhet mundësisht nga kompjuteri apo laptop; në rast se nuk dispononi këtë pajisje, mund të përdorni telefonin tuaj.
Ju lutemi të qëndroni në kontakt nëpërmjet e-maileve zyrtare, rrjeteve sociale dhe Platformës Teams për informacione të përditësuara lidhur me mësimin online nëpërmjet platformës dixhitale.

Merrni në konsideratë leksionet, ushtrimet e materialet e dërguara dhe punoni me to. Mbani shënim datat e rëndësishme, oraret dhe detyrat e caktuara për secilën nga lëndët që ndiqni online.

Çdo njoftim nga shkolla për mësim online, do të quhet orë mësimi dhe ju duhet të merrni pjesë; Ndaj pjesëmarrja është e detyrueshme dhe temat e zhvilluara online do të quhet të ezauruara.

Gjatë zhvillimi të mësimit online, synoni që të gjeni në vend të qetë në ambientin tuaj ku nuk shqetësoheni dhe shpërqëndroheni. Gjatë kohës që ndiqni mësim online, ju sugjerojmë që të hiqni/ të fikni njoftime nga aplikacione apo programe të tjera për të qenë sa më të përqëndruar.

Të gjithë e dimë se si studentët ashtu edhe stafi (të cilët do të japin mësim nga shtëpitë e tyre) mund të përballen me përgjegjësi familiare, për shkak të mbylljes së shkollës, gjendjes familiare, etj. Ndaj ju lutem jini mirëkuptues, edhe kur disa gjëra mbase nuk do të shkojnë sipas planit. Mbi të gjitha komunikoni për çdo pyetje apo partësi. Komunikimi i qartë është thelbësor.

Për çdo pyetje apo paqartësi në lidhje me shkollën dhe procesin akademik të kontaktoni me Sekretarinë Mësimore të KPT (megi.guzja@kpt.edu.al; dhe norda.kocaqi@kpt.edu.al) apo me pedagogun e lëndës.

Gjithashtu për çdo pyetje ose informacion më të detajuar në lidhje me përdorimin e platformës Microsoft Teams, jeni të lutur të komunikoni nëpërmjet adresës it@kpt.edu.al
Pjesëmarrja në mësimin online

MENDONI SIKUR JENI NË KLASË!

Gjatë mësimit online, përpiquni të qëndroni të përqendruar dhe të mbani shënime njësoj si të ishit në klasë. E dimë që mund të jetë pak më e vështirë që të përqëndroheni, por përpiquni që gjatë kohës së mësimit online, të mos merrni angazhime të tjera.

Për një cilësi sa më të mirë të mësimdhënies, gjatë zhvillimi të mësimit online, studentët nuk kanë nevojë të përdorin kamerën dhe mikrofonin, të cilat duhet të jenë në fikura. Në rast se studenti ka pyetje, mund të hapë kamerën dhe /ose mikrofonin, ose mund ta shkruajë pyetjen në Chat, për të marrë përgjigje nga pedagogu. Në rast se e mbani video hapur, mos harroni se Pedagogu dhe shokët ju shohin. Qëndroni në vend; mos bëni veprime që tërheqin vëmendjen tuaj ose të të tjerëve.

Sugjerohet të ndiqni mësimin nga një kompjuter ose lap top. Mbajtja e kufjeve ndihmon në minimizimin e zhurmës dhe mikrofonit.

Mbani një kalendar ose një listë të detyrave për të qëndruar të organizuar. Mos harroni të dorëzoni detyrat që ju jep pedagogu.

Të qenit bashkë në një ambient virtual nuk është e lehtë. Duhet të mbani parasysh se njerëz të ndryshëm mund të kenë aftësi të ndryshme në lidhje me teknologjinë, përdorimin e saj, komunikimin virtual etj.

Mundohuni të jeni të mirëkuptueshëm, po dhe të adresoni pyetjet që mund të keni.

KPT rezervon të drejtën të bëjë regjistrim të mësimit online për përdorimin ngushtësisht për KPT, për qëllime evidence dhe përdorim materiali për arsye akademike.

Sjellim në vëmendjen se politikat dhe standardet e sjelljes, Kodi i Etikës, Rregullorja e KPT etj vlejnë për të gjitha ndërveprimet në internet, përfshirë mësimin online, bisedime, takime online etj.

KPT inkurajon komunikimin dhe diskutime konstruktive, por sjellim në vëmendje se gjuha e papërshtatshme, ndërprerjet e panevojshme të mësimit, çdo formë e ngacmimit apo shqetësimit në internet te studentët e tjerë, stafi apo palë të treta, qoftë dhe kur janë komunikime individuale, nuk tolerohen dhe do të jenë subjekt i masave përkatëse në përputhje me aktet rregullatore të KPT.

Mirëqenia

• Është normale që të ndjeni shqetësim apo konfuzion në një situatë të tillë. Mbani kontakte në distancë me miqtë dhe familiarët.
• Gjatë kohës së qëndrimit në shtëpi, për shkak të pandemisë Covid 19, duhet t’i kushtoni vëmendje shëndeti dhe mirëqenies tuaj dhe të familiarëve tuaj.
• Zbatoni rregullat e higjenës dhe pastrimit, sidomos kur dilni dhe ktheheni në shtëpi.
• Gjatë qëndrimit në shtëpi, ruani një regjim jetese të shëndetshëm. Gjumi, stërvitja, ushqimi i shëndetshëm dhe hidratimi janë më të rëndësishme se kurrë për të mbajtur energjinë tuaj dhe për të forcuar sistemin tuaj imunitar.
• Gjatë ditës, bëni pushime për të shmangur tendosjen e syve dhe lodhjen e muskujve.
• Vendosni një rutinë që ta zbatoni gjatë ditës.
• Referojuni burimeve serioze të informacionit si OBSH dhe institucionet shëndetësore lokale.
• Ndonëse Pandemia ka kufizuar lëvizjen tonë, nuk ka pse të kufizojë imagjinatën tonë. Falë internetit dhe tureve virtuale mund të shihni akoma botën, muzeumet e njohura në vend dhe jashtë, apo të aksesoni biblioteka virtuale.